Historiku

Historiku i Drejtorisë Rajonale të Formimit Profesional Publik Nr.4 – Tiranë

Drejtoria Rajonale e Formimit Profesional Publik Nr.4, sot është institucion nën varësinë e Ministrisë së Finacave dhe Ekonomisë.

Në vite institucioni ka pësuar ndryshime të mëdha, në strukturë, formë, por jo në profilin e saj teknik. Transformimi i institucionit kalon në tre etapa të rëndësishme.

Etapa e parë, 1948-1996

Në këtë periudhë ka funksionuar Shkolla e Rezervave të Punës 2-vjecare dhe si Shkollë e Ulët Industriale, e cila ishte nën varësinë e Ministrisë së Industrisë dhe Minerave.

Kanë funksionuar këto kurse kualifikimi: Torneri, Axhusteri, Fonderi, Farkëtari, Elektrik, Saldator, Motorist (deti), Farkëtari, kurse te cilat ekzistonin deri në vitin 1990.

Drfpp 4 kurset profesionale

Në vitin 1963 u shtuan kurset e tekstilit në profesionet: Tjerrëse, Shumëfishuese(fije), Krehese, etj.

Nga viti 1948-1960 kanë perfunduar kurset mesatarisht 100 kursantë.

Nga viti 1960-1990 kanë përfunduar kurset mesatarisht 200-350 kursantë.

Në të gjitha këto kurse punohej me programe mësimore dhe për cdo profesion kishte librat me literaturën përkatëse. Me përfundimin e kurseve të gjithë kursantët shkonin në punë sipas sektorëve të ekonomisë , në mënyrë të planifikuar.

Shumë nga këta kursantë me kalimin e viteve në punë, morën kategori kualifikimi të lartë, specialistët u titulluan mjeshtra.Një pjesë e tyre me marrjen e arsimit të mesëm ndoqën shkollat e larta profesionale duke u titulluar inxhinier.

Pas vitit 1990 deri 1995 me ndryshimin e sistemit dhe rikonstruktimin e ekonomisë, kurset patën rënie e cila varioi nga 200 në vitin 1990 në 40 kursantë në vitin 1995.

 

 

Etapa e dytë, 1996-2004

Në vitin 1996 kësaj shkolle iu bashkua edhe shkolla profesionale komunale me kurset e Hidraulikës, Rrobaqepësisë dhe Këpucarisë, pasi u bashkuan, kaluan nën varësinë e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, sipas urdhërit Nr.531 dt.01.10.1996.

Ministria bëri riorganizimin e këtyre shkollave dhe e quajti “Qendra e Formimit Profesional Nr.4”, duke ruajtur dhe profilin e saj teknik. Në këtë periudhë kurset zhvillonin aktivitetin në 2-3 muaj, sipas programeve të miratuara nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit. Në qendër funksiononin këto kurse profesionale : Kursi i Rrobaqepësisë, Hidraulikës, Elektrik, Elektroshtëpiak, Duroalumini, Saldaturë, Riparim Tv e Kasetofon Magnetofon, Riparim Makina Qepëse.

Në vitet 1996-2000, mesatarishit kane ndjekur kurset 160 kursantë.

Në vitet 2000-2004, numri i kursantëve u rrit në 400, por në vite të vecanta arriti në 500-600 kursantë.Kursantët çertifikoheshin sipas modeleve të BE-së dhe të miratuara nga Ministria, punësoheshin në mënyrë individuale, vetëpunësoheshin duke hapur një aktivitet privat në profesionin që kishin, ose nëpërmjet zyrës së punësimit.

Gjatë kësaj periudhe u ngritën edhe kabinete të reja, në vitin 1997 me projektin PHAR u ngrit kabineti i Elektrikut dhe Elektroshtëpiakut, dhe në vitin 2002 me projektin PARSH u ngrit kabineti I Saldaturës.

Etapa e tretë, 2005 e në vazhdim

Duke filluar nga 30/05/2005 me urdhër të Ministrit kjo qendër profesionale u riorganizua duke u quajtur: “Drejtoria Rajonale e Formimit Profesional Publik Nr.4, Tiranë”.

Ky riorganizim i ri erdhi si rrjedhojë e reformave në fushën e formimit profesional të nisura nga viti 2002 me mbështetjen e BE-së.

Krijimi dhe riorganizimi i DRFPP Nr.4 u bë sipas VKM nr.675 dt.25/09/2003 në zbatim të ligjit nr.8872 dt.29/3/2002 “Për arsimin dhe formimin profesional” në Republikën e Shqipërisë. Kjo drejtori funksionon me një STATUT të vecantë të miratuar nga Ministri i Punës.

Drejtoria duke filluar nga viti 2005 filloi të punonte me kurrikulat e reja të miratuara nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit, sipas përvojave Europiane, me një afat kohor 4 deri ne 4.5 muaj.

Në vitin 2005 – 2006 janë rregjistruar 400-450 kursantë.

Nga viti 2006 deri me 2013, numri i kursantëve ka ardhur duke u rritur, nga 550 kursantë deri në 1300 kursantë në vit. Gjatë kësaj periudhe u shtua gama e kurseve teknike, por dhe ato me profil social dhe linguistik. U hapen kurset e Përpunim drurit, Autoservis, Kuzhinier, Kamarier-Banakier, Asistencë sociale, Kujdestar fëmijësh, Gjuha Angleze, etj.

Totali i kursantëve të rregjistruar në këto vite ka qënë 7000, ku 5500 prej tyre janë certifikuar.

Në vitin 2012, sipas udhëzimit të dy ministrive, të arsimit dhe punës me Nr .15 dt. 23.07.2012, u krijua “Bordi Drejtues në Institucionet Ofruese të Arsimit dhe Formimit Profesional”.

Bordi drejtues ka për qëllim të sigurojë cilësi në performancën e institucionit, duke zbatuar autonomi në fushat e kurrikulës, financimit, personelit dhe menaxhimit.

Janar-Prill 2014, janë rregjistruar 683 kursantë, të certifikuar 305.

Janë ndërtuar kabinete të reja dhe janë vënë në funksion kurse teknike si: kursi i Ndërtimtarisë (muraturë, suva, pllakashtrues, hidroizolim, bojaxhi), Saldaturës, Elektroaut, Mobileri, etj.

Është ndërtuar për herë të parë faqja e internetit: www.drfpp.al

 

Drejtuesit e Institucionit nga viti 1948-2018

  1. Rustem MANCAKU
  2. Ferit DANAJ
  3. Hodo DORACAJ
  4. Shyqyri MNERI
  5. Arif RRELI
  6. Lulzim ÇAMISHI
  7. Klement MATO
  8. Mihal KALLOJERI
  9. Arben SINOJMERI
  10. Piro JANI
  11. Ollga Gjokaj, aktualisht Drejtuese e Drejtorisë Rajonale të Formimit Profesional Publik Nr.4 Tiranë